AI-assisted research summary: Drejtori i Përgjithshëm ka mandat pesëvjeçar, mund të riemërohet dhe duhet të paraqesë raport vjetor; Ministri, me pëlqim me shkrim të Kryeministrit, mund ta shkarkojë para kohe vetëm me arsye të justifikuara.
Neni 4 i ligjit bazik, paragrafët 4.6., 4.7. dhe 4.9. riformulohen me tekstin si në vijim: 4.6. Mandati i Drejtorit të Përgjithshëm është pesë (5) vjet. Drejtori i Përgjithshëm mund të ri- emërohet për një (1) ose më shumë mandate pesë (5) vjeçare shtesë. Ministri mundet, pas pëlqimit me shkrim të Kryeministrit, ta shkarkojë Drejtorin e Përgjithshëm nga ky post para skadimit të mandatit pesë (5) vjeçar, vetëm nëse ka arsye të mira dhe të justifikueshme, të cilat mund të përfshijnë cilëndo nga të mëposhtmet: a) Drejtori i Përgjithshëm në mënyrë të vazhdueshme tregon se atij/asaj i mungon kompetenca e domosdoshme për të administruar në mënyrë profesionale me thesarin dhe veprimtarinë e tij; b) Drejtori i Përgjithshëm ka dështuar në ushtrimin e kujdesit të arsyeshëm profesional për të siguruar që veprimet e tij/saj dhe veprimet e personelit të Thesarit janë në përputhje dhe të autorizuara me ligj; 2 c) Drejtori i Përgjithshëm në mënyrë të vazhdueshme ka dështuar që ti përmbushë detyrimet e tij/saj sipas pikave a) dhe/ose b) të paragrafit 2. të këtij neni; ose d) Drejtori i Përgjithshëm është angazhuar në vepra të cilat përfshijnë konflikt të interesave; ose e) Drejtori i Përgjithshëm ka lejuar që personeli i Thesarit të angazhohet në një vepër për të cilën Drejtori i Përgjithshëm ka qenë në dijeni se përfshin konflikt të interesave, ose për të cilën Drejtori i Përgjithshëm, përmes ushtrimit të përkujdesjes të arsyeshme menaxheriale, është dashur të dijë se përfshin konflikt të interesave. 4.7. Nëse Ministri, pas pranimit të pëlqimit nga Kryeministri, e ushtron të drejtën e tij/saj për shkarkimin e Drejtorit të Përgjithshëm, Ministri duhet t’i dorëzojë Drejtorit të Përgjithshëm një deklaratë me shkrim në të cilën duhet të theksohen arsyet e shkarkimit së bashku me një kopje të pëlqimit të Kryeministrit për shkarkimin. Nëse personi i shkarkuar konsideron se shkarkimi nuk ka bazë të arsyetueshme juridike, ky person mund t’i drejtohet gjykatës kompetente me qëllim të shqyrtimit të këtij rasti; dhe gjykata është e autorizuar që të marrë çfarëdo masa të cilat i konsideron të ligjshme dhe adekuate. 4.9. Drejtori i Përgjithshëm është i detyruar që në bazë vjetore, t’i dorëzojë Ministrit, Kuvendit, Qeverisë, komunave dhe Kryeministrit një raport vjetor mbi te gjitha çështjet që ndërlidhen me veprimtarinë e Thesarit si dhe zbatimin e Rregullave KMF dhe Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës. Ky raport duhet të përmbajë një dispozitë (i) në të cilën përshkruhen problemet kryesore në veprimtarinë e Thesarit, zbatimin e Rregullave KMF dhe Buxhetit të Republikës së Kosovës, dhe (ii) në të cilën Drejtori i Përgjithshëm jep rekomandime për zgjidhjet e mundshme të këtyre problemeve.